Real Madrid – 11/1/2013
Cristiano Ronaldo ka dalë hapur në mbrojtje të trajnerit Jose Mourinho. Në ndeshjen e kaluar të Real Madrid kundër Real Sociedad, trajneri u vërshëllye nga tifozët e skuadrës së tij, ndërkohë që duartrokitën Iker Casillas. Në fakt, kjo nuk i ka pëlqyer yllit portugez, i cili nuk ka nguruar as t’i kritikojë vetë fansat, edhe pse e pranon se personalisht është ndjerë gjithnjë i vlerësuar.
"Unë dua t’i falënderoj tifozët e Realit për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë, që kur kam ardhur në këtë klub. Duartrokitjet e tyre më kanë motivuar më shumë dhe më kanë ndihmuar që të jap maksimumin në fushën e lojës. Për çdo lojtar është e rëndësishme që të jetë i qetë në aspektin psikologjik", u shpreh CR7.
Më pas, ai komentoi situatën e trajnerit: "Duhet t’u japin fund vërshëllimave dhe ofendimeve ndaj Mourinhos. Nuk kanë asnjë arsye ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk e kuptoj pse bien pre e provokimeve dhe nuk mbështesin personat që kanë më tepër meritë në sukseset e klubit. Ne jemi të aftë të realizojmë një sezon të shkëlqyer sivjet, pasi kemi shanse të mira si në Champions League, ashtu edhe në Kupën e Mbretit. Unë mendoj se trajneri ynë do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Realit për shumë kohë dhe ata nuk kanë pse ta pengojnë në punën e tij. Duhet të mendojnë për të mirën e klubit. Vetëtrajneri ynë mendon çdo moment se si ta drejtojë skuadrën te rezultatet pozitive", vijoi portugezi.
Në fund, ai pranoi se kriza e raportit mes fansave dhe "Special One" ndihet edhe në fushë: "Jo vetëm që mund të shpërqendrohemi, por edhe ne lojtarët ndihemi keq kur tifozët nuk i japin përkrahje Jose-së. Është logjike".
Në fakt, edhe pse pati një reagim negativ kundrejt kreut të pankinës, Ronaldo arriti të shënonte plot tre gola në fitoren 4-0 kundër Celta Vigos.
/(e.s) albaniabet/