Champions League
– 21 Shkurt 2013
Milani ka zhvilluar ndeshjen perfekte kundër Barcelonës, duke marrë një fitore 2-0 ndaj skuadrës që nga të gjithë cilësohet si favorite për të fituar trofeun. Ekipi italian është treguar mjaft cinik, duke shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara, ndërsa ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt një kualifikimi të bujshëm.
Ashtu siç pritej, gjatë gjithë ndeshjes ka qenë Barcelona që ka kontrolluar topin, por pa u shfaqur asnjëherë e rrezikshme në zonën e Abiatit, pasi Alegri kishte ndërtuar një gardh të mirëfilltë para zonës së rreptësisë për të mos lejuar depërtimet e katalanasve. "Kafazi” i kërkuar nga Berluskoni funksionon aq mirë sa Barcelona nuk bën asnjë gjuajtje në kuadrat në pjesën e parë, ndërsa Milani i afrohet dy herë golit me El Sharauin e Boateng, gjithmonë të rrezikshëm sa herë nisej një kundërsulm.
Në pjesën e dytë pritet një sulm i vrullshëm i Barcelonës, por katalanasit vazhdojnë me të njëjtin ritëm, ndoshta edhe të kënaqur me mënyrën se si po shkonte ndeshja. Por minuta e 57-të rezulton vendimtare për fatin e këtij takimi. Pas zhvillimit të një goditje dënimi, gjuajtja e Montolivo devijohet nga Zapata me dorë dhe përfundon te Boateng, i cili gjuan fluturimthi dhe mposht Valdes. Pavarësisht protestave të katalanasve, gjyqtari bën shenjë se goli është i rregullt, duke ndezur entuziazmin në "San Siro”.
Avantazhi ndihmon edhe më shumë Milanin, që tashmë është më i qetë dhe fillon të tregojë një presing mbytës ndaj lojës së Barcelonës. Katalanasit mundohen në të gjitha mënyrat të rrezikojnë, por gjuajtja e tyre e parë drejt kuadratit vjen vetëm në minutën e 76-të të ndeshjes.
Për më tepër, vetëm 5 minuta më vonë, ata pësojnë edhe golin e dytë. Këtë radhë është një kundërsulm i shpejtë i Milanit ku Niang kombinon me El Sharauin dhe ky kalon topin të Muntari që gjuan fluturimthi dhe mposht përsëri Valdez, duke shënuar golin e dytë që vulos rezultatin e kësaj ndeshje.
Kjo fitore vë Milanin në pozita shumë komode në ndeshjen e kthimit në "Kamp Nou”, sidomos nëse katalanasit do të vazhdojnë me të njëjtin stil loje, i cili në mbrëmjen e sotme ishte zbërthyer plotësisht nga ekipi italian.
/(e.s) albaniabet/