Borussia Monchengladbach – 30 Janar 2013
Granit Xhaka nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Gjermania. Mediet italiane shkruanin të hënën se presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ka udhëtuar drejt Gjermanisë për ta transferuar në Itali futbollistin kosovar, por gjithçka është stopuar, pasi 20 vjeçari e sheh veten në Borussia Monchengladbach, ku ishte transferuar në fillim të sezonit nga Baseli. "Nuk dua të largohem. Unë dua ta rikthej vendin e titullarit”, deklaroi Xhaka për tabloidin gjerman Bild.
Edhe drejtori sportiv i Gladbachut, Max Eberl konfirmon se ekipi nga Bundesliga nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga përfaqësuesi zviceran. "Ne nuk planifikojmë ta largojmë Xhakën. Ne e dimë se çka mund të bëjë ai. Ai do ta demonstrojë këtë me kohë”, theksoi ai.
Xhaka ka përfunduar në bankinë në ndeshje me Hoffenhaimin dhe Dusseldorfin dhe duket se trajneri Lucien Favre e ka humbur besimin tek ish futbollisti i Baselit. Mirëpo Xhaka, i cili i kushtoi 8,5 milionë euro Gladbachut, beson se me punë do ta bindë trajnerin gjerman për ta rikthyer në formacionin bazë.
/(e.s) albaniabet/