FIFA – 17 Janar 2013
Bandat kriminale të organizuara kanë shënjestruar 50 liga nacionale të futbollit për të kurdisur ndeshje dhe çdo shtet është i prekshëm, pavarësisht nga niveli i korrupsionit. Këtë e ka thënë kreu i sigurimit i FIFA-s, Ralf Mutschke.
Sipas Mutschkes, një person që është dënuar për kurdisje i ka thënë atij personalisht gjatë një takimi sekret se aktiviteti i kurdisjes së ndeshjeve dhe i vënies së basteve në to është duke u preferuar nga shumë kriminelë edhe para shitjes së drogës.
"Unë kam takuar një kurdisës të ndeshjeve, një kurdisës të dënuar në Zuerich dhe ai më ka thënë se krimi i organizuar po largohet nga shitja e drogës dhe po përfshihet vazhdimisht e më shumë në kurdisje të ndeshjeve, pasi rreziku është më i vogël e fitimi më i madh. Ai ma tha këtë drejt në fytyrë”, ka treguar Mutschke, që kishte punuar për 33 vjet në Policinë federale gjermane para se t’i bashkohej FIFA-s në vitin 2012. "Unë do të thosha se janë rreth 50 liga të ndryshme nacionale jashtë Evropës që po shënjestrohen nga krimi i organizuar në tregun e basteve”, transmeton "Koha”.
Kurdisja e ndeshjeve është bërë brengë e madhe për autoritetet e futbollit, pasi që kriminelët në rrjetin e kurdisjeve po i paguajnë lojtarët, arbitrat dhe zyrtarët për të kurdisur ndeshjen dhe po vënë para të mëdha në baste për të qëlluar rezultatin e ndeshjes
/(e.s) albaniabet/