Uefa – 11/1/2013
"Topi i Artë 2012" shkoi për të katërtën herë rradhazi në duart e Lionel Messit, një vendim që nuk shtangu askënd duke parë diktatin e argjentinasit në vitet e fundit, por ndoshta diçka të çuditshme ka në këtë mes.
Rrjeti mediatik "Al Jazeera" ngre pikëpyetje për disa momente të dyshimta në lidhje me numërimin e votave, duke vënë në dukje se disa prej tyre ndoshta nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur.
Një prej shembujve të dhënë nga gjiganti televiziv i lindjes së mesme është ai i Thiago Silvas, i cili u shpreh publikisht se vota e tij shkoi për Cristiano Ronaldon, por në faqen e FIFA-s, vota e tij i atribuohet Messit. E njëjta gjë ndodh me kapitenin e Republikës Çeke, Tomas Rosicky, i cili publikisht zgjodhi Balotellin por zyrtarisht italiani nuk figuron në tre të përzgjedhurit e tij sepse podiumin e më të mirëve e mbajnë Messi, Ronaldo e Van Persie.
Raste të ngjashme janë edhe ato të trajnerit të Kolumbisë, Jose Pekerman, atij të Gabonit, Paulo Duarte e teknikut të Tajlandës, Winnie Schafer. Por zbulimi i Al Jazeraas nuk ndalet me kaq sepse drejtori teknik i Zimbabwes, Nelson Matongorere deklaroi se nuk votoi fare, ndërsa në listën e FIFA-s shfaqet si kapiteni i kombëtares afrikane. Gjithsesi, Al Jazeera i shkon deri në fund lajmit, duke nënvizuar se të tilla anomali nuk e vënë aspak në dyshim dominimin e talentit argjentinas.
/(e.s) albaniabet/