Barcelona – 19 Janar 2013
Trajneri i Barcelonës, TitoVilanova e pranon se ngeli i shtangur kur mësoi se portieti i parë Victor Valdes nuk do ta rinovonte kontratën përtej vitit 2014, duke shtuar se do ta respektojë vendimin e gardianit katalanas.
"Fola me të dhe mendoj se çdokush është i lirë të marrë vendimet që dëshiron. Më kërkoi që ta respektojmë në këtë pikë dhe duhet ta mbështesim", u shpreh trajneri i Barcelonës.
Kontrata e Valdes flet qartë dhe tekniku mendon se Valdes do ta respektojë deri në fund
"Ai nuk thotë se do të largohet por që nuk do të vazhdojë përtej vitit 2014. Kjo është një kohë e mjafueshme për klubin që të gjejë një zëvendësues të denjë. Ndoshta ka njerëz që mendojnë se ai do të largohet më shpejt, por unë nuk dyshoj në profesionalizmin e tij”.
Largimi i një titullari pa dyshim që nuk shërben në konsolidimin e grupit katalanas për të ardhmen dhe Vilanova e di mirë këtë.
"Normalisht që më prish planet dhe më trishton sepse Victor Valdes është portier ideal për Barcelonën. Gjithsesi njerëzit nuk duhet ta keqkuptojnë sepse ai është një lojtar me 3 Champions League të fituara dhe konsiderohet si një idhull për të gjithë", tha Tito.
Lajmin e konfirmon edhe drejtori sportiv, Andoni Zubizarreta, sipas të cilit, klubi do ta respektojë dëshirën e lojtarit për të mos e rinovuar kontratën. Ky është një vendim i papritur për klubin spanjoll që prej vitesh dukej se kishte gjetur ekujlibrin e duhur në katërkëndësh.
31-vjeçari e ka nisur karrierën me të rinjtë e Barcelonës ku ka luajtur plot 349 ndeshje me ekipin e parë që prej vitit 2002.
/(e.s) albaniabet/