KOMBETARJA
– 15 Shkurt 2013
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një miqësore me përfaqësuesen e Lituanisë me 26 mars në Tiranë, 4 ditë pas ndeshjes zyrtare të eliminatoreve të Botërorit 2014 në Oslo ndaj Norvegjisë.
Ky takim do të shërbejë për të parë edhe një herë nga afër disa lojtarë të rinj të cilët do të shërbejnë për pjesën e dytë të eliminatoreve, pasi trajneri De Biasi ka bërë të qartë se nuk është përzgjedhur ende përfundimisht grupi i futbollistëve me të cilin dëshiron të vazhdojë të punojë në pjesën e dytë të këtij edicioni.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është publikuar edhe renditja e re e FIFA-s për muajin shkurt ku kuqezinjtë kanë pësuar një rënie prej 8 vendesh, si rezultat i humbjes me Gjeorgjinë në miqësoren e javës së kaluar, pasi tani jemi të 71-tët në botë.
Ndonëse të gjithë skuadrat që bëjnë pjesë në grupin eliminator të Botërorit 2014 përkrah Shqipërisë kanë pësuar rënie të lehtë, kuqezinjtë lënë pas vetëm Islandën (98) dhe Qipron (135). Mbeten ende shumë përpara Zvicra (14), Norvegjia (27) dhe Sllovenia (54). Klasifikimi vazhdon të kryesohet nga Spanja, që ndiqet nga Gjermania dhe Argjentina.
/(e.s) albaniabet/