Greuther Furthit – 09 Shkurt 2013
Pas fitores ndaj Schalkes (2:1) të regjistruar javën e kaluar, skuadra e Greuther Furthit, ku luajnë dyshja kosovare Mërgim Mavraj e Ilir Azemi, synon që tri pikë t’i marrë edhe të shtunën në shtëpi kundër Wolfsburgut.
Nëse Greuther Furth arrin fitoren, ky do të ishte triumfi i parë këtë sezon para publikut të vet. Përveç kësaj, për ekipin e Mavrajt e Azemit do të ishte fitorja e parë në Bundesligë e shënuar në shtëpi.
"Ne duhet të shkëlqejmë pas fitores ndaj Schalkes. Nëse ne nuk arrijmë të fitojmë ndaj Wolfsburgut, fitorja e javës së kaluar nuk do të ketë asnjë vlerë”, ka thënë kapiteni i ekipit Mërgim Mavraj për përditshmen gjermane Bild.
Sipas reprezentuesit të Shqipërisë, pas fitores ndaj Schalkes, vetëbesimi në radhët e skuadrës së Greuther Furthit është rritur dukshëm.
Pas 20 xhirove të zhvilluara në elitën e futbollit gjerman, skuadra e Mavrajt dhe Azemit renditet e fundit në tabelë me vetëm 12 pik të tubuara.
/(e.s) albaniabet/