Lazio – 18 Janar 2013
Lorik Cana është i bindur se Lazio ka kapacitet të luftojë në të tria frontet, në Serie A, Kupën e Italisë dhe Europa League. Mesfushori kosovar thotë se Biancocelesti mund ta eliminojnë Juventusin në gjysmëfinale, por e pranon se Bianconerët janë më të mirët në Itali. Përfaqësuesi shqiptar ndihet mirë për rezultatet e Lazios dhe rolin e qendërmbrojtësit e konsideron të përshtatshëm për të.
Lorik Cana po e shijon momentin pozitiv të Lazios, e cila gjendet në pozitën e dytë në Serie A, prapa Juventusit. Do të jenë pikërisht këto dy ekipe që do të përballen në mes vete në gjysmëfinale të Kupës së Italisë javën tjetër. Futbollisti kosovar e pranon se kundërshtari është ekipi më i fortë në Serie A, por është i bindur se Biancocelesti mund ta eliminojnë ‘Zonjën e Vjetër’.
"Juventusi është skuadra më e fortë e kampionatit dhe është favorite për të shkuar në finale. Nëse luajnë siç dinë, janë pothuajse të paprekshëm. Por, ne mund të luftojmë me çdo ekip, në të tria frontet. Do të luajmë kundër tyre në Kupën e Italisë, mendoj se mund t’ia dalim”, deklaroi Cana për Lazio Style Radio.
Përfaqësuesi shqiptar beson se Lazio do ta ndjek[ Juventusin edhe në kampionat, deri në fund të sezonit. "Në kampionat ata janë favoritë, por ne do të vazhdojmë me kokën lartë të jemi aty afër. Ajo që po e bëjmë është një gjë e bukur. Mentaliteti, ambienti, atmosfera në ekip dhe përkrahja e tifozëve, është gjëja më e bukur që po e shijojmë. Nuk kemi bërë ende asgjë, por pasi i bëmë të ëndërrojnë tifozët dhe të marrim gjithë këtë përkrahje, është një gjë e bukur”, vazhdoi futbollisti gjakovar.
Së fundmi, trajneri Vladimir Petkovic e ka vendosur në qendër të mbrojtjes, një rol të cilin e pëlqen edhe Cana dhe që e kryen edhe në Kombëtaren shqiptare. "Rezultatet e mira janë meritë e tij. Në Lazio më kanë blerë pasi e posedoj edhe këtë aftësi, të mbrojtësit. Nëse luan më pak, është më e lehtë të hysh në fushë dhe të luash në qendër të mbrojtjes. Personalisht jam mjaft i lumtur kur luaj, ndihem mjaft mirë edhe kur luaj prapa. Vitin tjetër dua të vazhdoj të luaj në mbrojtje, shpresoj në Lazio”, përfundoi Cana.
/(e.s) albaniabet/