Real Madrid – 05 Shkurt 2013
Real Madrid ka planifikuar t’i bëjë një dhuratë të veçantë Kristiano Ronaldos për 28 vjetorin e tij, duke i ofruar një rinovim faraonik të kontratës së tij nga e cila do të rrisë ndjeshëm përfitimet.
Sipas asaj që raporton eleconomista.es, gjatë kësaj jave pritet të bëhet i ditur rinovimi i kontratës deri në vitin 2018 me futbollistin portugez, duke i dhënë atij sigurinë se do të qëndrojë për një kohë të gjatë në radhët e madrilenëve dhe nuk ka pse mendon për të ardhmen e tij në një skuadër tjetër.
Kristiano Ronaldo do të përfitojë 15 milion euro në vit nga kontrata e re që hyn në fuqi që në sezonin e ardhshëm, një marrëveshje e re pesëvjeçare që praktikisht do të çojë lojtarin drejt fundit të karrierës së tij me fanellën e kësaj skuadre pasi në përfundimin e saj do të jetë 33 vjeç.
Klubi ka zgjidhur edhe problemin e taksave, duke i bërë të ditur lojtarit se deri në vitin 2015, kur mbaronte kontrata aktuale, ai do të paguajë vetëm 25% të taksave, sipas sistemit të "Ligjit Bekam” me të cilin ai nënshkroi kontratën e mëparshme me madrilenët. Duke pasur parasysh se klubi merr përsipër t’i paguajë shtetit spanjoll taksat, i bie që rroga e Kristiano Ronaldos në total të kapë shifrën 19 milion euro në vit.
Që nga viti 2015, kur hyn në fuqi pjesa e dytë e kontratës dhe taksa 52%, klubi do të jetë i detyruar të paguajë praktikisht edhe shtetin spanjoll me po aq milion euro sa Kristiano Ronaldon, për një total prej 30 milion eurosh në vit.
Totali i kontratës së re të futbollistit portugez kap një shpenzim prej 130 milion eurosh, rreth 30 milion euro më shumë sesa Reali pagoi për ta blerë atë në vitin 2009.
/(e.s) albaniabet/